sq

KDI: LËVIZJA VETËVENDOSJE TË MOS VONOJË PROCESIN E FORMIMIT TË QEVERISË SË RE

Reagime 21.04.2020

Kosova tashmë ndodhet në procedura kushtetuese të formimit të një qeverie të re, pas votimit të suksesshëm të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës më 25 mars.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) vlerëson që pas katër letërkëmbimeve në mes të Presidentit dhe Lëvizjes Vetëvendosje si subjekt fitues i zgjedhjeve në tre javët e fundit, kjo e fundit, pa humbur kohë duhet të ushtrojë të drejtën për të dërguar emrin e mandatarit për formimin e qeverisë. Rrjedhimisht, ne kërkojmë nga Lëvizja Vetëvendosje, që si fituese e zgjedhjeve, të zhvillojë konsulta me subjektet e tjera politike për lidhje të koalicionit të ri dhe të caktojë brenda një afati sa më të shpejtë kohor mandatarin e ri për të formuar Qeverinë. Nëse LVV nuk ka vullnet politik për ta dërguar emrin e një mandatari për formimin e qeverisë së re, ajo mund ta ushtrojë të drejtën e refuzimit të mandatit, siç parashihet edhe në aktgjykimin e vitit 2014 të Gjykatës Kushtetuese.

Megjithëse Kushtetuta jonë nuk e përcakton afatin kohor për propozimin e mandatarit, konsiderojmë se çdo vonesë në shfrytëzimin e kësaj dispozite kushtetuese mund ta shpijë vendin në ngërç institucional dhe kushtetues, si dhe do ta cenojë edhe parimin e stabilitetit institucional të vendit, duke ia pamundësuar Kuvendit ushtrimin e kompetencave të tij në zgjedhjen e Qeverisë. Ne vlerësojmë që stabiliteti institucional është vlerë që duhet të promovohet nga të gjitha subjektet politike në Kosovë, në përputhje edhe me legjitimitetin qytetar.