sq - en

 Kosova shënon progres, lë pas Shqipërinë, Maqedoninë dhe Bosnjën në luftën kundër korrupsionit

Konferenca për media 22.02.2018

 KDI, degë e rrjetit global Transparency International publikoi sot gjatë një konference për media “Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit 2017” në të cilin Kosova ka shënuar progres prej dhjetë pozitash në krahasim me vitin e kaluar.

Me këtë rast Majlinda Kurti nga KDI theksoi se sikurse në 20 vitet e kaluara edhe këtë vit, Transparency International (TI) ka publikuar rezultatet e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit (CPI) për vitin 2017. Ky vlerësim përdor si burime të informatave raporte të ndryshme të organizatave ndërkombëtare si Freedom House, Ëorld Bank, Bertelsmann Foundation, etj. Indeksi shfrytëzon sistemin e vlerësimit prej 100 shkallësh në të cilin vlerësimi maksimal do të thotë ‘vend i pastër nga korrupsioni’ kurse asnjë pikë do të thotë ‘vend shumë i korruptuar’.

Ajo bëri të ditur se në nivel global, prej 180 vendeve që marrin pjesë në këtë vlerësim, Zelanda e Re radhitet e para këtë vit me 89 pikë duke kaluar kështu liderin e vjetëm Danimarkën, kurse Somalia mbetet në vendin e fundit për vitin e njëmbëdhjetë me radhë me vetëm 9 pikë.

“Kosova është radhitur në pozitën e 85-të, që nënkupton përparim prej dhjetë vendesh në krahasim me vitin paraprak në të cilin ishte e radhitur si e 95-ta. Ndonëse në pozicion më të mirë se sa vitin e kaluar, Kosova me 39 pikë ende ndodhet nën mesataren globale prej 43 pikësh. Një gjetje tjetër interesante del nga krahasimi i Kosovës me vendet e rajonit. Kosova ka kaluar Shqipërinë, Maqedoninë dhe Bosnjën, kurse mbetet prapa Malit të Zi dhe Serbisë”, ka deklaruar Majlinda Kurti.

Kurse Arben Kelmendi nga KDI theksoi se sipas hulumtimit të Transparency International, tri fushat në të cilat Kosova ka shënuar progres janë si në vijim:

Pavarësia e sistemit të drejtësisë. Raporti konsideron se ndryshimet kushtetuese që sigurojnë që shumica e anëtarëve të KPK-së dhe KGJK-së zgjedhen nga kolegët e tyre gjyqtarë përkatësisht prokurorë paraqet ngritje të nivelit të pavarësisë së drejtësisë kosovare. Një tjetër dëshmi e rritjes së pavarësisë konsiderohet fakti që Ministri i Drejtësise nuk është anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës. Fatkeqësisht, raporti pranon se puna e gjyqësorit vazhdon të vuaj nga niveli i lartë i ndërhyrjeve politike.

Mediat e pavarura. Raporti gjithashtu evidenton fuqizimin e mediave jo vetëm në bërjen publike të rasteve korruptive por në presionin që u bëjnë organeve të drejtësisë të reagojnë pas prononcimeve të tilla në media. Raporti gjithashtu përmend rastet kur organet e drejtësisë kanë reaguar shpejt ndaj kërcënimeve të gazetarëve nga personat e etiketuar në raportimet e tyre.

Lufta kundër korrupsionit. Përmirësimi në këtë fushë i atribuohet kryesisht përmirësimit të legjislacionit, krijimit të grupeve punese dhe mekanizmave përcjellës për krimet e nivelit të lartë të korrupsionit, dhe rritjen e rasteve të trajtuara nga sistemi i drejtësisë. Luftimi i korrupsionit vazhdon të mbetet njëri nga kushtet kryesore që bashkësia ndërkombëtare u kishte vënë institucioneve të Kosovës në rrugëtimin drejt integrimit në BE. Trysnia e vazhdueshme nga brenda dhe jashtë ndaj institucioneve të Kosovës për të sjellë rezultate të prekshme, ka sjellë efekte pozitive.

Problem kyç mbetet mungesa e transparencës në shpenzimin dhe menaxhimin e financave publike dhe në financimin e subjekteve politike, ku këto të fundit vazhdojnë të mos i publikojnë  burimet e financave dhe shpenzimet e tyre. Joprofesionalizmi, ndikimi dhe kontrolli partiak në emërimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve, në të gjithë sektorët publikë, në të gjitha nivelet, vazhdon të mbetet pengesë.

 “Përkundër “progresit të raportuar” në Indeksin e sivjetshëm për Perceptim të Korrupsionit, në raportet e fundit nga KDI vetë akterët e sistemit të drejtësisë e pranojnë se ka nivel të lartë të korrupsionit brenda sistemit, ndërhyrjeve politike në punën e gjyqësorit (mungesa e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë) dhe të nepotizmit dhe formave tjera të favorizimit.

Në fushën e prokurimit publik kërkohet ngritje e transparencës, hapja e kontratave, përmirësimi i menaxhimit të kontratave publike dhe ngritja e nivelit të llogaridhënies”, ka plotësuar Kelmendi.

KDI si pjesë e Transparency International, çdo herë bënë thirrje për një shoqëri të hapur e transparente dhe  beson në një Kosovë ku qeveria, bizneset, shoqëria civile dhe jeta e përditshme e qytetarëve janë të lira nga korrupsioni. Të gjithë qytetarët që kanë raste të korrupsionit mund ti raportojnë në KDI në numrin pa pagesë 0800 77777.

Indeksin e Perceptimit të korrupsionit të publikuar nga TI mund ta gjeni këtu.