sq

Komuna e Prizrenit dhe Dragashit nuk respektojnë të drejtën e informimit të komuniteteve jo shumicë

Konferenca për media 30.12.2019

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) gjatë një konferencë për media, ka publikuar raportin “E drejta në Informim e Komuniteteve jo Shumicë “,  ku përfshihen Komuna e Prizrenit dhe ajo e Dragashit.

Naim Cahani nga KDI gjatë konferencës theksoi se “ të gjeturat nga hulumtimi në komunën e Prizrenit dhe Dragashit në periudhën janar-qershor 2019, kanë treguar nivel të ultë të angazhimit të institucioneve në  respektimin e së drejtës për informim të komuniteteve jo shumicë në gjuhën e tyre amtare, duke rënë ndesh me ligjet dhe rregulloret në fuqi”.

Duke vazhduar me të gjeturat tjera,  ai theksoi se “gjuha boshnjake është gjuhë zyrtare në të dy komunat, ndërsa në ueb faqet zyrtare të komunave nuk ka seksion të veçantë të gjuhës boshnjake. Po ashtu, statistikat e hulumtimit tregojnë se seksionet në gjuhën serbe dhe turke të ueb faqeve zyrtare të komunave nuk janë të plota, publikimet janë me vonesë, gjë që shkakton informim të dobët të komuniteteve pakicë dhe shkel të drejtën e informimit dhe anashkalon pjesëmarrjen e komuniteteve jo shumicë në proceset vendimmarrëse në nivel lokal”.

Sipas tij, komuna e Prizrenit në periudhën janar-qershor 2019 ka publikuar 185 vendime të kryetarit  në gjuhën shqipe derisa nuk ka publikuar asnjë vendim në gjuhët tjera zyrtare. Po ashtu, edhe komuna e Dragashit ka ndjekur një praktikë të tillë,  ku gjatë kësaj periudhe ka publikuar 76 vendime të kryetarit të komunës në gjuhën shqipe, por jo edhe në gjuhët tjera zyrtare në nivel lokal.

Almedin Fejza – zyrtar i KDI-së duke vazhduar me të gjeturat tjera, prezantoj statistikat në nivel të komunave në lidhje me respektimin e të drejtës në informim të komuniteteve jo-shumicë. “Komunat e targetura gjatë kësaj periudhe kanë treguar performancë më të mirë sa i përket publikimit të vendimeve të kuvendit të komunës në gjuhët zyrtare në nivel lokal. Kuvendi i Komunës së Dragashit gjatë kësaj periudhe ka publikuar 11 vendime në gjuhën shqipe, prej tyre 10 janë të publikuara në gjuhën serbe derisa komuna e Prizrenit në këtë periudhë ka publikuar 6 vendime në gjuhën shqipe, prej tyre 6 janë të publikuara edhe në gjuhën serbe dhe turke. Megjithatë, dy komunat gjatë kësaj periudhe nuk kanë publikuar vendimet e kuvendit të komunës në gjuhën boshnjake.” – theksoi Fejza.

Komuna e Prizrenit gjatë periudhës janar-qershor 2019, në ueb faqen e komunës  ka publikuar gjithsej 293 lajme në gjuhën shqipe, prej të cilave në gjuhën turke janë të publikuara vetëm dy (2) lajme, dhe asnjë lajm në gjuhën boshnjake. Sa i përket komunës së Dragashit, në këtë periudhë janë publikuar 37 lajmet në gjuhën shqipe, prej të cilave vetëm tri (3) lajme janë publikuar në gjuhën serbe dhe asnjë lajm në gjuhën boshnjake.

“Po ashtu, Komuna e Prizrenit ka treguar një shkallë të ultë në respektimin e së drejtës së informimit përmes kërkesave për qasje në dokumente publike në gjuhët amtare të komuniteteve jo-shumicë që cilësohen si gjuhë zyrtare në nivel lokal . Pas kërkesave të parashtruara nga Instituti Demokratik i Kosovës, institucionet lokale nuk e kanë respektuar afatin ligjor në kthimin e përgjigjeve. Nga 10 dokumente të ndryshme të kërkuara nga Komuna e Prizrenit, prej të cilave shtatë (7) në gjuhën boshnjake dhe tre (3) në gjuhën turke, është pranuar vetëm një dokument në gjuhën serbe. Në krahasim me Komunën e Prizrenit, Komuna e Dragashit ka treguar qasje më të hapur dhe parimore në zbatim të dispozitave ligjore në këtë lloj komunikimi. Nga 4 dokumente të kërkuara nga komuna e Dragashit që të gjitha në gjuhën boshnjake, kemi pranuar 3 dokumente po në këtë gjuhë por me vonesë.” –  ka shtuar ai.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) i  rekomandon komunën e Prizrenit dhe Dragashit të respektojnë në plotësi legjislacionin në fuqi sa i përket gjuhëve zyrtare në nivel lokal, të rrisin kapacitetet institucionale në përkthimin e të gjitha dokumenteve në gjuhët zyrtarë, të publikojnë vendimet e organeve të vetëqeverisjes lokale në gjuhët zyrtare, të publikojnë çdo dokument dhe draft dokumente në gjuhët zyrtare, të respektojnë të drejtën e qasjes në dokumente publike në ofrimin e dokumentacioneve në gjuhët zyrtare në nivel lokal etj.