Komuna e Dragashit ngec në respektimin e ligjit për gjuhët

Takime 17.10.2018

Me qëllim të promovimit, mbrojtjen dhe respektimin e te drejtave të komunitetit boshnjak të drejtën e informimit, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka organizuar tryezën me temën “ E drejta në informim e komuniteteve jo shumicë si parim i qeverisjes së mirë”.

Me pjesëmarrjen e zyrtarëve komunal, është shpalosur draft raporti me të gjeturat e respektimit të gjuhës boshnjake si gjuhë zyrtare në nivel lokal në komunën e Dragashit. Almedin Fejza nga KDI tha se “ mungesa e seksionit në gjuhën boshnjake në ueb faqen e komunës së Dragashit privon këtë komunitet jo shumicë në informim adekuat për proceset vendimmarrëse në komunë”.

Nënkryetari i Komunës së Dragashit z. Selami Saiti, tha se “nuk pajtohem bash me krejt konstatimet e juve për shkak se nëse shkojmë në komunë, të dera i shohim edhe konkurset në gjuhën boshnjake, për mbledhjet e kuvendit ne kemi të siguruar përkthimin, në zyrën e prokurimit ka përfaqësues të komunitetit boshnjak, problemi është së dikush e neglizhon punën, andaj për shkak të neglizhencës mbetet dokumentet pa u publikuar në ueb faqe të komunës”.  Më tepër është neglizhenca dhe mungesë e kapaciteteve njerëzore  se sa mos disponim për të respektuar gjuhën zyrtare në nivel lokal – përfundoj ai.

Në anën tjetër Nënkryetari për Komunitete z.Sherif Aga nuk është pajtuar me nënkryetarin e komunës sa i përket të gjeturave të raportit të monitorimit në të drejtën e informimit të komunitetit boshnjak në gjuhën e tyre amtare, gjuhë e cila është gjuhë zyrtare në komunën e Dragashit.  Ai potencoi se “sa i përket ueb faqen e komunës, jemi të anashkaluar dhe është një brengë që ekziston, raporti i juaj i specifikon qartë këto mangësi dhe të gjithë duhet të marrim parasysh ato mangësi që janë cekur në raport”. Ne së bashku mundemi të përmirësojmë problemet dhe mangësitë tona, pas këtij takim pres që të përmirësohet situata, dëshiroj që ti lejmë anash orientimet politik dhe nacional dhe të funksionojmë si një sistem. – përfundoj ai.

Velid Hadzisin anëtarë i kuvendit të komunës nga radhët e komunitetit boshnjak tha se “mungesa e përkthyesve në gjuhën boshnjake  është hendikep për komunën,  që të arrihet në përkthimin e gjitha atyre dokumenteve”. Qytetarëve duhet të ofrojnë informata në atë gjuhë që e kuptojnë, ata e kanë këtë të drejtë në informata bazuar në ligjet dhe aktet nënligjore në nivel lokal. Ueb faqja është e ardhmja e informimit, duhet gjithë të bëjmë përpjekje që të përmirësohet kjo gjendje në ueb faqen e komunës, vendosja e seksionit  në ueb faqen zyrtare të komunës në gjuhën boshnjake duhet të jetë prioritet pas këtij takimi.

Me qëndrime pro dhe kundër nga spektrit politik, në garantimin e të drejtës së informimit në gjuhën boshnjake në këtë komunë, si konkluzion i përgjithshëm është dal se ka vullnet për respektim, por mungesa e kapaciteteve njerëzore në përkthimin e dokumenteve publike mbetet një nga shkaqet e mos respektimit të kësaj të drejte andaj është kërkuar të rekrutohet përkthyesi adekuat për gjuhën boshnjake. Vendosja e seksionit të gjuhës boshnjake në ueb faqen e komunës është parë si prioritet dhe hap i parë drejt vendosjes së standardeve në respektimin e kësaj gjuhe si gjuhë zyrtare në nivel lokal.

Ky aktivitet është ndërmarrë në kuadër të projektit “Së bashku mundemi” i cili mbështet nga Ambasada Çeke, që si objektiv kryesor ka mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të komuniteteve në informim dhe përfshirjen e tyre në proceset vendimmarrëse në nivel komunal.