sq - en

Komisionet parlamentare kërkojnë nga Qeveria platformën e re te dialogut dhe llogaridhënie nga presidenti

Takime 19.03.2018

Instituti Demokratik të Kosovës (KDI), në bashkëpunim me Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, kanë zhvilluar sot takimin e tretë koordinues të kryetarëve të komisioneve parlamentare të Kuvendit të Kosovës, mbi rolin mbikëqyrës të dialogut Kosovë-Serbi.

Fillimisht përfaqësuesit e komisioneve prezentë në këtë takim, diskutuan mbi aktivitetet e komisioneve të ndërmarra nga takimi i dytë rreth mbikëqyrjes së zbatimit të marrëveshjeve të cilat kishin të bënin me ftesat e ministrave në raportim, kërkesat për hulumtime parlamentare si dhe vizita në terren.

Tutje u theksua nevoja e rritjes së transparencës dhe nevoja për dakordësim të përgjithshëm rreth vijave të kuqe të Kosovës në procesin e dialogut si dhe u potencuan një sërë rekomandimesh që lidhen me këtë proces.

Në këtë drejtim u theksua që të gjitha komisionet parlamentare të përfshijnë në planet e tyre të punës çështjet që ndërlidhen me marrëveshjet e që njëkohësisht bien në fushëveprim të tyre dhe të realizojnë vizita në terren në lidhje me mbikëqyrjen e zbatimit të këtyre marrëveshjeve.

Po ashtu u rekomandua që të hartohet një letër e përbashkët e komisioneve parlamentare drejtuar Qeverisë së Kosovës në lidhje me fazën e re të dialogut ku njofton Kuvendin rreth delegacionit të shtetit të Kosovës dhe platformën e re të bisedimeve.
Një rekomandim tjetër lidhet me inicimin e një rezolute nga Kuvendi i Kosovës rreth fazës së re të dialogut, që presidenti t’i drejtohet Kuvendit për të njoftuar këtë institucion mbi takimet që ka pasur deri tani me presidentin e Serbisë rreth dialogut Kosovë-Serbi.

Gjithashtu u rekomandua ngritja e një komision hetimor mbi hetimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani në kuadër të këtij procesi.
Gjatë takimit u tha që Kuvendi është lënë anash edhe nga kjo Qeveri në procesin e dialogut, dhe u kërkua që dialogu t’i kthehet Kuvendit ku komisionet parlamentare do të luajnë një rol më aktiv, dhe ku do të promovohet transparenca dhe llogaridhënia.

Në fund u nënvizua që konsultimi i rregullt i Kuvendit dhe koordinimi ndërinstitucional mbetet tejet i rëndësishëm, veçanërisht kur pritet të nënshkruhet një marrëveshje ligjërisht e obligueshme e cila duhet më pas të ratifikohet në Kuvendit e Kosovës.