Kodi telefonik shtetëror i Kosovës +383, ende nuk është duke u zbatuar plotësisht

Takime 18.06.2019

Prishtinë, 17 qershor 2019

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka organizuar një vizitë të anëtarëve të Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, gjatë të hënës, në Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), për tu njoftuar për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit ,lidhur me telekomunikacionin dhe kodin telefonik +383.

Në këtë vizitë morën pjesë kryetarja e këtij komisioni Sala Berisha – Shala dhe Muharrem Nitaj, anëtar i Komisionit, të cilat takuan kryetarin e bordit të ARKEP-it Kreshnik Gashin dhe zyrtarë të lartë të këtij institucioni.

Deputetët e Komisionit për Zhvillim Ekonomik shprehën interesimin e tyre rreth zbatimit të marrëveshjes së telekomunikacionit dhe ngecjet në këtë proces, përfitimet e Kosovës nga kjo marrëveshje, sfidat nga operatorët telefonik për zbatimin e marrëveshjes si dhe funksionalizimin e kodit +383.

Kryetari i bordit të ARKEP, z. Kreshnik Gashi informoi deputetët lidhur me marrëveshjen e telekomunikacionit të arritur në Bruksel më 2013, e cila u cilësua si e zbatuar në masë të madhe. Z. Gashi njoftoi deputetët që prej 15 dhjetor 2016 Kosova ka kodin e saj telefonik, +383, gjithsesi theksoi se një pjesë e kësaj marrëveshjeje nuk është zbatuar, përkatësisht harmonizimi i frekuencave ndërkufitare si pasojë e mosgatishmërisë së Serbisë. Më tej z. Gashi shtoi se që prej vitit 2017 dialogu në mes delegacioneve lidhur me këtë marrëveshje është ndalur, ndërsa nuk ka pasur asnjë diskutim lidhur me shërbimet postare pavarësisht që është përcaktuar ndryshe me marrëveshje.

Në anën tjetër shteti i Kosovës ka zbatuar pjesën e marrëveshjes për dhënien e autorizimit të përkohshëm një kompanie të re serbe për shërbime të telefonisë mobile. Ky autorizim është dhënë në përputhje me kornizën rregullatore të Kosovës, për operim të kufizuar në infrastrukturën aktuale në terren. Në kuadër të kësaj, nga marsi i vitit 2017 ARKEP ka ndërprerë operimin e operatorëve ilegal në Veri.

Sa i përket çështjes së zbatimit të kodit shtetëror të Kosovës +383, z. Gashi njoftoi deputetët se operatorët ekonomik në Kosovë PTK dhe IPKO janë përballur me sfida në adoptimin e këtij kodi dhe të njëjtit kanë kërkuar disa herë shtyrje të afatit të zbatimit të kodit +383.  ARKEP ka vendosur si afat të fundit për zbatim datën 31 tetor 2018 dhe nga 15 janari 2019 ka filluar shqiptimin e gjobave deri në 10.000 Euro, për operatorët të cilët nuk kanë zbatuar këtë vendim.

Pas sanksioneve të shqiptuara nga ARKEP, PTK ka arritur të zbatojë kodin shtetëror të Kosovës +383, vetëm në një fazë. Edhe pse kodi i Monakos +377 nuk është në përdorim nga ky operator thirrjet ndërkombëtare vazhdojnë të realizohen nëpërmjet Monako-së, siç ka ndodhur para marrjes së kodit shtetëror të Kosovës. Si rezultat i kësaj, PTK shënon humbje dhe nuk përfiton nga kodi telefonik shtetëror, për arsye të mos përgatitjeve të duhura teknike. Vlen të përmendet se të dy operatorët PTK dhe IPKO kanë qenë pjesë e delegacionit për negocimin e marrëveshjes së telekomunikacionit.

Përfaqësuesit e ARKEP njoftuan anëtarët e Komisionit se lidhur me problemet e kompanisë publike PTK rreth zbatimit të kodit +383, kanë njoftuar edhe Qeverinë e Kosovës nga e cila kanë kërkuar mbështetje për këtë kompani në tejkalimin e këtyre sfidave. Në anën tjetër edhe operatori IPKO pas sanksioneve të ARKEP, ka filluar zbatimin e kodit +383 me datën 1 qershor 2019, ndërsa IPKO ka filluar edhe zbatimin e kodit mobil shtetëror E212.

Anëtarët e Komisionit u zotuan se do të ngrisin këtë çështje edhe në mbledhjet e Komisionit.

Kjo vizitë u realizua në kuadër të projektit “Perspektiva Evropiane – ndërtimi i konsensusit kombëtar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë” që përkrahet nga Ambasada Zvicerane në Prishtinë.