Kërkohet transparencë dhe gjithëpërfshirje në hartimin e politikave sociale

Tryeza 25.07.2018

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka organizuar tryezë diskutimi me akterët vendimmarrës të Komunës së Prizrenit, ku janë shpalosur rekomandimet e analizës mbi politikat sociale në nivel lokal. Të pranishëm ishin Kryetari i Komunës, Kryesuesi i Kuvendit, anëtarë të kuvendit dhe ekzekutivit, përfaqësues të shoqërisë civile si dhe mediat.

Në kuadër të kësaj tryeze, vendimmarrësit dhe akterët tjerë janë pajtuar me inicimin e ndryshimeve të politikave aktuale me qëllim të rritjes së transparencës dhe përfshirjen e akterëve tjerë relevant në planifikimin dhe zbatimin e politikave sociale nga komuna e Prizrenit, ku theksi është vu tek ndryshimi i rregullores komunale për ndarjen e subvencioneve dhe politikat ne kategorinë e banimeve sociale.

Efikasiteti dhe efektiviteti në ofrimin e shërbimeve publike sociale varet nga vendosja e mekanizmave operacionalë nga ana e organeve të vetëqeverisjes lokale. Arritja e objektivave të komunave nuk mund të realizohet pa procedura dhe kritere të brendshme në çdo nismë të politikave publike.