sq

KDI: TENDERI I MINISTRISË SË INFRASTRUKTURËS (MI) NË KUNDËRSHTIM ME LIGJIN PËR BUXHETIN E RISHIKUAR PËR VITIN 2020

Reagime 12.10.2020

Nga janari deri në muajin tetor 2020, Ministria e Infrastrukturës ka iniciiar vetëm tre tenderë për projekte kapitale, prej të cilëve tenderi për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan (Pjesa 2) është anuluar.

Tre ditë para se të miratohej në Kuvend buxheti i rishikuar i Kosovës për 2020 (si rezultat i pandemisë COVID 19), MI me 27 korrik 2020, shpalli tenderin e dytë për projektin kapital “ndërtimi i urës në Drelaj” duke u bazuar në parashikimet buxhetore të Ligjit fillestar për Buxhetin, pa i konsideruar ndryshimet, respektivisht shkurtimet që do të vinin nga rishikimi i buxhetit.

Kështu, Ministria e Infrastrukturës në Deklaratën e nevojave dhe përcaktimit të disponueshmërisë së mjeteve të datës 22 korrik 2020 , për këtë projekt parashikoi vlerën prej 400,000 € (Sipas Ligjit Nr. 07/L-001 për buxhetin e vitit 2020). Në fakt, rishikimi i ligjit për buxhetin e vitit 2020 (Ligjin Nr. 07/L-014) e zvogëloi buxhetin për këtë projekt për 150,000 € (37.5%), duke e zbritur vlerën totale të projektit në 250,000 €.

Për këtë projekt, sipas buxhetit të rishikuar, gjatë vitit 2020 janë paraparë të shpenzohen 150,000 Euro dhe 100,000 Euro të tjera në vitin 2021. Por buxheti 2020 dhe projeksionet buxhetore afatmesme nuk tregojnë se si do të sigurohen 150,000 Eurot e munguara për këtë projekt.

Probleme të ngjashme kanë edhe mbi 200 projektet kapitale të cilat janë prekur nga rishikimi i buxhetit, pra nuk dihet se si dhe kur do të rikuperohen buxhetet e shkurtuara. Kjo e rrezikon seriozisht implementimin dhe kualitetin e projekteve.

Rishikimi i buxhetit të shtetit ka zvogëluar buxhetin për projekte kapitale të Ministrisë së Infrastrukturës për mesatarisht 18% dhe ka prekur mbi 90% të projekteve kapitale.

Image may contain: text that says 'TENDERI I MINISTRISE SE INFRASTRUKTURES (MI) NE KUNDERSHTIM ME LIGJIN PER BUXHETIN E RISHIKUAR PER VITIN 2020 Me rishikimin e Ligjit per Buxhetin, ketij projekti eshte zvogeluar buxheti per 150,000 Euro ose MI ka shpallur tender per ndërtimin e Urës ne Drelaj ne vlerë prej 400,000 Euro, duke u bazuar ne ndarjet buxhetore te Ligjit per Buxhetin 2020, cili ishte ne procedure per ndryshim. 37.5% British Embassy Pristina #KerkoLlogari KOSOVA DEMOCRATIC INSTITUTE'