KDI: Të garantohet lëvizja e lirë e deputetëve gjatë ushtrimit të mandatit të tyre

Reagime 29.04.2020

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) është duke përcjellë me vëmendje zhvillimet që ndërlidhen me lëvizjen e lirë të deputetëve në kohë pandemie, në relacion me ushtrimin e mandatit të tyre.

Përkundër që në Kosovë janë ende në fuqi masat e izolimit dhe karantinimit të ndërmarra nga institucionet relevante, KDI vlerëson që deputetët duhet të kenë lehtësime që mundësojnë ushtrimin e papenguar të funksioneve të tyre kushtetuese, për aq kohë sa këto lehtësime vërtetohet se nuk mund të rrezikojnë shëndetin e deputetëve tjerë.

Në situatën kur ekziston një rrezik i tillë, në mënyrë që të mos cenohet shëndeti i deputetëve dhe në të njëjtën kohë të njëjtit të mos privohen nga ushtrimi i detyrave të tyre kushtetuese, Kuvendi duhet të shohë mundësinë e mbajtjes së seancave në distancë, duke ua ofruar kështu mundësinë e pjesëmarrjes në seancë të gjithë deputetëve. Duke qenë se një opsion i tillë nuk parashihet me Rregulloren e Punës së Kuvendit, për ta bërë të mundur realizmin e seancave në këtë mënyrë nevojitet që të votohet për shmangie nga Rregullorja, që bëhet me votat e 2/3 të deputetëve të pranishëm.