KDI: TË DREJTAT E PUNËTORËVE JANË TË PATJETËRSUESHME

Reagime 01.05.2020

Dita Ndërkombëtare e Punës e gjen Kosovën dhe botën pothuajse të paralizuar për shkak të pandemisë globale COVID19. Mbyllja e shumë bizneseve në Kosovë, tani e gjashtë javë ka bërë që një numër i madh i të punësuarve të mbesin pa punë dhe pa të ardhura. Me qëllim të zbutjes së këtij problemi, Qeveria e Kosovës, në mars të 2020 aprovoi një pako emergjente fiskale për të ndihmuar bizneset dhe për të ofruar një mbështetje simbolike financiare për punëtorët e sektorit privat.

Institutin Demokratik të Kosovës, në 365 ditët e kaluara ka pranuar 150 ankesa të punëtorëve që lidhen me shkeljen e të drejtave elementare të punës. Puna pa kontrata, mosdhënia e pagës në kohë, privimi nga pushimi javor, vjetor e mjekësor, mospagesa e kontributeve pensionale nga punëdhënësi edhe pse ato mjete ndalen nga paga bazë, konkurset e manipuluara të institucioneve për qëllime të akomodimit të personave me afërsi politike, largimet nga puna pa paralajmërim, orar i zgjatur i punës pa ndonjë kompensim etj përbëjnë natyrën e shkeljeve të raportuara.

KDI rikujton se e drejta për pushimit javor, vjetor e mjekësor, e drejta për të pasur kontratë të punës, pagesa e kontributeve pensionale, barazia dhe jo diskriminimi në konkurse, paralajmërimi për shkëputjen e marrëdhënies së punës, orari 8 orësh janë të drejta bazë dhe të patjetërsueshme, për shkeljet e të cilave, bizneset vazhdojnë të mos ndëshkohen.
Sot me 1 maj, kërkojmë që vëmendja dhe veprimet institucionale të kthehen seriozisht në adresimin e shkeljeve të vazhdueshme të të drejtave të punës, sidomos tani kur është paralajmëruar edhe hapja graduale e bizneseve. Mbrojtja e shëndetit të punëtorëve dhe respektimi i të drejtave të tyre në kohën e pandemisë duhet të jetë prioritet për të gjitha institucionet relevante.

Është koha e fundit kur Qeveria duhet të marrë masa të menjëhershme për të rritur numrin e inspektorëve në terren duke u siguruar që Ligji i Punës dhe ligjet e tjera që lidhen me të drejtat e punëtorëve nuk do të mbeten vetëm në letër. Po ashtu Gjyqësori duhet të marrë masa që lëndët që vijnë nga marrëdhënia e punës të kenë prioritet në trajtim e vendosje.
KDI inkurajon të gjithë qytetarët që të raportojnë tek institucionet përkatëse shtetërore shkeljet që u bëhen në vendin e punës.

KDI poashtu është në dispozicion për të ofruar ndihmë ligjore pa pagesë për të giitha palët që pretendojnë se u janë shkelur këto të drejta. Rastet mund të paraqiten përmes e-mail-it [email protected] apo në faqen zyrtare të KDI në Facebook.

Raportin e plotë mund t’a shkarkoni në këtu.

Festo 1 majin dhe rri n’shpi!