KDI publikon “Transparometrin 2018”: Cila është komuna më transparente?   

Tryeza 13.02.2019


Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe OJQ Aktiv përmes një konference, sot ka bërë publikimin e raportit “Transparometri 2018”, që vë në pah të gjeturat dhe rekomandimet nga matja e transparencës në 15 komuna të Kosovës. Bazuar në matjet e 58 indikatorëve në katër shtylla, komuna më transparente doli ajo e Drenasit (duke përmbushur 82.22% të indikatorëve), ndërsa më pak transparente ishte ajo e Mamushës (duke përmbushur 27.12% të indikatorëve). Subjekt i këtij indeksi të transparencës ishin komunat: Drenas, Mitrovicë e Jugut, Viti, Malishevë, Klinë, Dragash, Kamenicë, Graçanicë, Obiliq, Shtërpcë, Mamushë, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, ndërsa rezultatet e tyre janë si vijon: 1. Drenasi (82.22%), 2. Mitrovica e Jugut (77.97%), 3. Vitia (72.88%), 4. Malisheva (72.88%), 5.Klina (68.66 %), 6.Dragashi (64.41%), 7. Kamenica (62.71%), 8. Shtërpca (56.78%), 9, Graçanicë (54.24%).10. Obiliqi (53.39%), 11. Mamusha (27.12%).

Në hapje të kësaj konference Ismet Kryeziu, Drejtor Ekzekutiv i KDI-së ka theksuar se  mungesa e transparencës, pjesëmarrja e mangët e publikut të vendimmarrje dhe etika jo e mjaftueshme në qeverisje, nuk janë sfidë vetëm për institucionet lokale por edhe për qeverisjen në nivel qendror. Prandaj KDI dhe projekti të cilin ajo po e zbaton në këto komuna synon të ulë riskun e keq-qeverisjes, të rrisë besimin qytetar në institucione dhe pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrje. 

Ambasadori Britanik në Prishtinë Ruairi O’Connell, ka theksuar se ky projekt ka të bëjë me pushtetin që qytetarët e mbajnë. Ai ka  thënë se thelbi i demokracisë është sundimi nga populli.“Ne kemi një shprehje në Britani që ‘dituria është fuqi’. Nëse qytetarët janë të angazhuar në procesin demokratik, fuqia e tyre rritet.  Sa më shumë informacion që qytetarët kanë për mënyrën se si përfaqësuesit e tyre po qeverisin, aq më shumë ata mund t’u kërkojnë atyre llogari. Sa më shumë që bëjnë pyetje, aq më të përgjegjshëm bëhen politikanët e tyre. Dituria është fuqi. Dhe dituria e vënë në duart e njerëzve është një gjë e fuqishme. Por gjithashtu kjo fuqi nuk ka domethënie nëse nuk përdoret nga njerëzit. Qytetaria aktive është çelësi i demokracisë.”, ka thënë  O’Connell.

Në adresimin e saj, Rozafa Ukimeraj, sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Administratës dhe Pushtetit Lokal (MAPL), ka potencuar se pavarësisht progresit në disa fusha, transparenca komunale mbetet një nga sfidat e mëdha.”Një numër i vogël i komunave ofron qasje në dokumentet zyrtare dhe kjo është shqetësuese, ndërsa vetëm një numër i vogël i komunave përmbushin transparencën buxhetore”, ka shtuar Ukimeraj.

Ndërsa, Ahmet Rushiti nga KDI pas prezantimit të rezultateve për secilën komunë, ka inkurajuar komunat që të mënjanojnë procedurat burokratike lidhur më kërkesat e qytetarëve dhe të punojnë në krijimin e mekanizmave efikas për menaxhimin e tyre.  Ai ka kërkuar nga komunat t’a zbatojnë ligjin për gjuhët zyrtare dhe të bëjnë hapjen e të dhënave.

Miodrag Miliceviç  nga “NGO AKTIV”,  ka thënë se zbatimi i këtij projekti në komunat veriore  hap mundësi dhe rrugë për transparencë dhe llogaridhënie sa më të madhe të nivelit lokal. 

Përfaqësuesit e komunave të përfshira në këtë publikim, janë pajtuar me të gjeturat e raportit dhe kanë shprehur përkushtimin e tyre për ngritjen e mëtejme të transparencës së institucioneve.

Raportin me gjetjet e plota dhe rekomandimet mund ta shkarkoni këtu: http://kdi-kosova.org/publikimet/transparometri-komunal-2018-2/

Projekti “Rritja e llogaridhënies së institucioneve të qeverisjes lokale”, është mbështetur nga Ambasada Britanike në Prishtinë.
Me respekt,

KDI