KDI përshëndet formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës,kërkon përkushtimin e nevojshëm në ndërmarrjen e reformave adekuate që adresojnë nevojat e qytetarëve

Reagime 03.02.2020

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) përshëndet formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës me të cilën kompletohet formimi i institucioneve të reja në respektim të rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme të 06 tetor 2019. Funksionalizimi i institucioneve është mundësi për stabilitet të jetës politike dhe perspektivë zhvillimore.Qeveria e re e Kosovës me anë të programit të saj qeverisës duhet të adresoj nevojat e qytetarëve duke dëshmuar përkushtimin e nevojshëm në ndërmarrjen e reformave adekuate që garantojnë zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, instalim të shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit, si dhe forcim të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

  1. Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik ndodh atëherë kur politikat publike lehtësojnë zhvillimin e sektorit privat, ku qytetarët marrin iniciativa afariste pa u përballë me barriera burokratike bllokuese dhe pa u ndjerë të shantazhuar nga bartësit e institucioneve. Politika të cilat gjithashtu nxisin rritjen e investimeve të huaja në Kosovë dhe garantojnë ambient të sigurt për investitorët e huaj.
  2.  Shteti i së drejtës dhe sundimi i ligjit ndërtohen vetëm duke respektuar parimin e ndarjes së pushteteve dhe pavarësinë e plotë të tre degëve të pushtetit. Gjyqtarët dhe prokurorët duhet të kryejnë punën e tyre me integritet të plotë, kurse aktorët politikë duhet të garantojnë një ambient ku ata nuk do të ndjehen të kërcënuar në përmbushjen e obligimeve të tyre kushtetuese.
  3. Në arenën ndërkombëtare, shtetin e Kosovës e forcon një diplomaci pro-aktive që synon ndërtimin e aleancave me partnerë ndërkombëtar që shtyjnë përpara interesin e Kosovës, përfaqësim dinjitoz dhe diplomatë profesionalë e të kualifikuar.
    KDI gjithashtu kërkon nga legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës të luaj një rol konstruktiv në përmbushjen e obligimeve kushtetutese në mbikëqyrjen efektive të Qeverisë dhe institucioneve të tjera, në hartimin e ligjeve të cilat shtyjnë përpara reformat kaq të nevojshme për mirëqenien qytetare, zhvillimin e gjithmbarshëm të shtetit si dhe përfaqësimin dinjitoz të interesave të qytetarëve në respektim me mandatin e tyre kushtetutes.

KDI ju rikujton deputetëve që Kuvendi i Kosovës duhet të jetë arenë e diskutimeve përmbajtësore në mes të partive politike pavarësisht taborit të cilit i përkasin duke hequr dorë nga gjuha joparlamentare dhe përplasjet politike për interesa të ngushta partiake.