KDI KUNDËR VAZHDIMIT TË PRAKTIKAVE TË KAPJES SË SHTETIT

Reagime 03.04.2020

Në strategjinë e zgjerimit të BE-së për shtetet e Ballkanit perëndimor, citohet se këto shtete, ku bën pjesë edhe Kosova tregojnë elemente të qarta të kapjes së shtetit në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe administratës. Edhe KDI, si pjesë e rrjetit global Transparency International ka raportuar në vazhdimësi për elemente të kapjes së shtetit në sektorë të rëndësishëm, ndërsa në veçanti ka kritikuar praktikat e kapjes së bordeve të ndërmarrjeve publike dhe vendosjen e njerëzve jokompetentë e partiakë.

KDI po ndjek më shumë shqetësim veprimet e Qeverisë në detyrë, e cila në kohë të pandemisë COVID-19 po vazhdon me shkarkimin e bordeve ekzistuese të ndërmarrjeve për t’i zëvendësuar ato me njerëz të subjektit të tyre. Vendosja e figurave që më parë ishin kandidatë për subjektin politik Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit, është në kundërshtim me ligjet e këtyre ndërmarrjeve publike dhe në kundërshtim me premtimin kryesor që bordet do të çkapen nga politika e do të jenë profesionale, të pavarura dhe me integritet.

Qeveria në detyrë urgjentisht duhet ta ndaloj një praktikë të tillë, ndërsa procesit të rekrutimit duhet t’i paraprijë shpallja e konkurseve publike në mënyrë që në këto borde të rekrutohen njerëz me kredibilitet, integritet e profesionalizëm.

Qeveria në detyrë duhet të vazhdojë memorandumet e bashkëpunimit me Ambasadën Britanike në Kosovë për rekrutimin e bordeve dhe pozitave tjera udhëheqëse në Kosovë, ashtu që të kemi një proces transparent e llogaridhënës me ndihmën e Ambasadës dhe nën mbikëqyrjen e shoqërisë civile të mundësohet zgjedhja e bordeve të ndërmarrjeve publike të jenë profesionale e jo politike, me integritet e jo të kapura.