KDI: Kërkohen veprime urgjente institucionale për të parandaluar degradimin e mjedisit nga investimet kapitale

Tryeza 10.03.2020

Kontratat publike për investimet kapitale me interes publik si ato për ndërtimin e rrugëve, rrjeteve të kanalizimeve dhe hidrocentraleve shpesh po bëhen burimi kryesor i degradimit të ambientit: lumenjve, tokës dhe pyjeve.
Sipas Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (Kadastrit të ndotësve të ujërave të zeza), 72% e ndotjes së lumenjve vie nga rrjetet e kanalizimeve, ndërsa sipas raporteve të Bankës Botërore, në Kosovë rreth 760 persona përballen me vdekje të parakohshme çdo vit nga ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit dhe mjedisit.

Për të ngritur vëmendjen e publikut për dëmet dhe efektin negativ të këtyre projekteve në mjedis e sidomos për të kërkuar veprim të menjëhershëm instiutucional, sot KDI publikoi tre raporte hulumtuese që shpërfaqin degradimin e ambientit nga investimet kapitale në Kosovë e që janë me interes public. Këto studime në veçanti trajtojnë tre tema të rëndësishme si ajo e ndërtimit të hidrocentralit në Biti të Poshtme, ndotjen e lumenjve nga derdhja e ujërave të zeza dhe dëmtimin e pyjeve nga gurthyesit.

Gjatë elaborimit të gjetjeve kryesore, Diana Metushi Krasniqi nga KDI theksoi se “degradimi i mjedisit përmes këtyre projekteve po shkakton probleme në mirëqenien, shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve të Kosovës. Sipas KDI, këto po ndodhin si rezultat i mungesës së udhëzuesve administrative që plotësojnë kërkesat ligjore, kolizionit ndërmjet strategjive shtetërore, dhe mungesës së llogaridhënies. Vetëm gjatë tre viteve të fundit institucionet publike kishin dhënë kontrata në vlerë mbi 1 miliardë euro për ndërtim të rrugëve dhe rrjeteve të kanalizimit, me masa minimale të mbrojtjes së mjedisit. Ajo tutje shtoi se “për të tejkaluar këtë situatë është tejet e rëndësishme që të ndërtohet bashkëpunimi i mirëfilltë ndërmjet dikastereve qeveritare, të përditësohen ligjet dhe strategjitë nacionale, dhe të rritet niveli i llogaridhënies publike”.

Avni Zogiani, zëvendës ministër i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Mjedisit, potencoi problemet e bashkëpunimit edhe ndërmjet vetë departamenteve brenda ministrisë, ndërsa përmendi që qeveria e re është e përkushtuar që të harmonizojë legjislacionin dhe të promovojë ekspertizën e mirëfilltë në mbrojtje të mjedisit.

Në ndërkohë, Fatmir Gërguri, kryeinspektor në Komisionin e Pavarur të Minierave dhe Mineraleve ngriti shqetësime lidhur me aktivitetet ilegale të gurthyesve, dhe dënimet e vogla përkundër raportimeve të këtij institucioni. Për më tutje ai theksoi problemin e mos angazhimit të autoriteteve kontraktuese për t’i luftuar këto aktivitete sidomos në kontratat publike. Pasojat e mihjeve ilegale përveç që po dëmtojnë direkt në inkasimin e taksave, ato po rezultojnë në cilësi të dobët të punëve ku rrugët e ndërtuara po prishen menjëherë.

Për të shkarkuar raportet e plota klikoni më poshtë:

Ujë pak e nevoja shumë: Ndikimi i investimeve kapitale në mjedis;

Lumenjtë e zi të Kosovës.