sq - en

KDI jep rekomandime për përmirësim të gjendjes së konstatuar në raportin e KE-së

Reagime 18.04.2018

Raporti për Kosovën i Komisionit Evropian edhe këtë vit ua rikujtoi institucioneve të Kosovës obligimet të cilat duhet t’i përmbushin në mënyrë që Kosova të shënojë përparim në proceset integruese evropiane.

Vlerësimi i përgjithshëm i raportit thekson përparim të ngadaltë të shtetit në Agjendën e Reformës Evropiane. Sikurse edhe në vitet paraprake, Kosova mbetet në “fazë të hershme” në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformimin e sistemit gjyqësor dhe administratës publike apo përputhshmërinë me standardet evropiane.

Përkitazi me gjetjet e këtij raporti, Instituti Demokratik i Kosovës  (KDI), jep rekomandime për institucionet për përmirësim të gjendjes në sektorët që bien në fushëveprimtarinë e KDI-së si në vijim:

 

Sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit:

Raporti konfirmon shqetësimet e adresuara paraprakisht nga KDI, lidhur me angazhimin e institucioneve në luftën kundër korrupsionit. Shtrirja e korrupsionit në të gjitha nivelet, ndikimi politik i qeverisë në sistemin e drejtësisë dhe mungesa e kapaciteteve në institucionet e sundimit të ligjit për të përmbyllë rastet e korrupsionit dhe dënuar fajtorët mbeten faktorët kyç që pengojnë progresin. KDI përmes 15 pikëshit, u ka rikujtuar institucioneve veprimet konkrete dhe të domosdoshme që duhet të ndërmerren për të qenë më efikas në përmirësimin e gjendjes aktuale.

Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit, i rishikuar dhe i miratuar rishtazi nga Kuvendi i Kosovës si përpjekje për ta sjellë atë më afër standardeve evropiane dështoi t’a rregullojë çështjen e suspendimit dhe largimit të zyrtarëve publikë të akuzuar për korrupsion.

Financimi i partive politike dhe shpenzimet e tyre gjatë fushatës vazhdojnë të karakterizohen me nivel të ulët të transparencës, e që lë proceset demokratike të ekspozuara ndaj rreziqeve të mëdha të korrupsionit dhe ndikimeve nga jashtë. Publikimet e fundit të raporteve të auditorit të jashtëm të financave të partive politike kanë konfirmuar shkelje të rënda të legjislacionit dhe mangësi në kontrollin financiar.

Ligji për mbrojtjen e informatorëve ende nuk është në përputhje me standardet ndërkombëtare, si dhe duhet përmirësuar mekanizmat dhe kërkesat e mbrojtjes së informatorëve si në ligj, po ashtu edhe në praktikë.
Puna e Kuvendit të Kosovës:

Komisioni Evropian në Raportin për Kosovës pasqyron në mënyrë reale edhe punën e Kuvendit të Kosovës, duke vënë në pah anomalitë në funksionimin e institucionit më të lartë në vend. Ky raport, ndër të tjera, konfirmon edhe të gjeturat e KDI-së nga monitorimi i vazhdueshëm i punës së Kuvendit, ku konstatohet se Kuvendi në përgjithësi duhet të përmirësojë ndjeshëm performancën e vet si një forum konstruktiv për dialog politik dhe përfaqësim. Mungesat e shumta të deputetëve në punimet e Kuvendit si dhe polarizimi i skajshëm mes subjekteve politike parlamentare ka ndikuar edhe më shumë në uljen e efikasitetit të punës së Kuvendit, që në masë të madhe është reflektuar edhe në ushtrimin e funksioneve bazike të Kuvendit. Për të tejkaluar këto probleme, është i nevojshëm një konsensus politik mes subjekteve parlamentare, sidomos në çështjet e ndërlidhura me agjendën evropiane të vendit. Ushtrimi i mbikëqyrjes efektive ndaj ekzekutivit dhe agjencive të pavarura në masë të madhe do të përmirësonte performancën e Kuvendit. Deputetët duhet ta marrin me seriozitet rolin e tyre ligjbërës dhe përfaqësues, dhe duhet të jenë të orientuar drejt përmbushjes së mandatit të tyre, e assesi të mos shërbejnë si faktorë stagnimi në rrugën e Kosovës drejt BE-së.

 

Dialogu Kosovë-Serbi:

Në kuadër të kërkesave të dala nga Raporti i KE-së rreth Dialogut Kosovë -Serbi dhe zbatimit të marrëveshjeve të dala nga dialogu, institucionet e Kosovës duhet të sigurohen që themelimi i Asociacionit të Komunave serbe të jetë plotësisht në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Sa i përket zbatimit të marrëveshjes për energji, urën e Mitrovicës dhe ndërtimin e katër pikave doganore mes dy shteteve, Kosova ka përmbushur të gjitha obligimet e saj rreth zbatimit dhe vonesat dhe obstruksionet janë shkaktuar nga shteti i Serbisë, siç evidentohet edhe në këtë raport.

Në linjë me gjetjet e raportit, Serbia duhet të ndërpres bllokimin e Kosovës në forumet rajonale, rivendosjen e strukturave doganore me emërtimin “Kosovo” që operojnë brenda Serbisë, dhe lëshimin e vulave doganore të tilla që janë në kundërshtim me marrëveshjen.

KDI vlerëson se institucionet e Kosovës duhet të vazhdojnë të përmbushin detyrimet e tyre rreth zbatimit të marrëveshjeve të arritura në dialog, duke pasur parasysh në vazhdimësi që zbatimi të jetë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Kosova duhet të vazhdojë praktikën e raportimit të vonesave dhe obstruksioneve të shkaktuara nga Serbia, tek BE-ja e cila duhet  të ushtrojë presion dhe kushtëzime tek Serbia për zbatimin e këtyre marrëveshjeve.

Zgjedhjet:

Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën, sa i përket zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës dhe atyre lokale të mbajtura gjatë vitit 2017, konstaton se ato kanë qenë konkurruese dhe mirë të administruara në shumicën komunave në Kosovë. Përjashtim bëjnë komunat e banuara me shumicë serbe, ku janë kanosur kandidatët që nuk kanë qenë nga radhët e Listës Serbe, e cila është raportuar nga Demokracia në Veprim (DnV) gjatë procesit zgjedhor.

Përkundër përparimit në organizimin e zgjedhjeve, raporti ka theksuar një sërë dobësish që kanë të bëjnë me financimin e partive politike, pjesëmarrjen e ulët të grave në zgjedhje dhe në politikë, listat e pasakta të votuesve dhe një sistem të dobët të votimit për qytetarët që jetojnë jashtë vendit.

Më tej, Komisioni Evropian ka kërkuar nga i gjithë spektri politik të tregojë vullnet për të kryer reformat e nevojshme zgjedhore para organizmit të zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme.

Edhe KDI në vazhdimësi ka kërkuar që të përmbyllet procesi i reformës zgjedhore, të pastrohen listat e votuesve dhe të krijohet një ambient më i përshtatshëm për gratë që të marrin pjesë në jetën politike. Gjatë monitorimit nga DnV, është gjetur se gratë kandidate më pak se 20% të tubimeve kanë pasur rastin t’i adresohen publikut.

Si tejet e rëndësishme është theksuar edhe  rregullimi më efektiv i financimit të partive politike dhe i fushatës, pasi që nuk ka monitorim dhe kontroll sistematik në këtë fushë.