KDI: Deputetët vizitojnë pikën kufitare në Merdare, s’ka reciprocitet në zbatim të marrëveshjeve të dialogut

Tryeza Vizita në terren 19.12.2017

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), organizoi vizitë në pikën kufitare në Merdare me deputetët e Kuvendit të Kosovës: Time Kadrijaj nga AAK, Saranda Bogujevci nga LVV dhe Fidan Rekali nga LDK për të parë nga afër zbatimin e marrëveshjeve që ndërlidhen me dialogun Kosovë – Serbi. Më pas deputetët morën pjesë në një debat publik me qytetarët e Komunës së Podujevës në të cilën diskutuan rreth pritshmërive të tyre për të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi.

Gjatë vizitës në pikën kufitare në Merdare, deputetët e Kuvendit të Kosovës u informuan lidhur me gjendjen e përgjithshme në këtë pikë kufitare, zbatimin e marrëveshjes së IBM-së si dhe sfidat dhe problemet në zbatimin e marrëveshjeve të dialogut lidhur me lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Disa nga shqetësimet të cilat u ngritën nga komandanti i policisë në këtë pikë kufitare, Sefat Gashi ishin mungesa e infrastrukturës adekuate për të përballuar fluksin e madh të qytetarëve të cilët kalojnë në këtë pikë, çështja e mosnjohjes së dokumenteve të Republikës së Kosovës nga ana e palës serbe, mosnjohjes së targave të veturave nga pala e Serbisë si dhe mosanëtarësimi i Kosovës në Kartonin e gjelbër, të cilat po krijojnë pritje të gjata.

Pas vizitës në pikën kufitare në Merdare, KDI organizoi debat publik me qytetarët e këtij rajoni në të cilin u diskutua e ardhmja e dialogut Kosovë-Serbi si dhe këndvështrimi i qytetarëve lidhur me këtë proces.

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës theksoi nevojën e një roli të shtuar të Kuvendit të Kosovës, bashkërendimin institucional për të ardhmen e këtij procesi duke theksuar se mungesa e reciprocitetit në marrëveshjet e arritura si marrëveshja e targave apo dhe e lëvizjes së lirë po dëmtojnë shtetin e Kosovës duke e bërë Serbinë të privilegjuar dhe të pakushtëzuar nga Prishtina zyrtare.

Deputetja Time Kadrijaj, vlerësoi se pavarësisht faktit që procesi i dialogut ka synuar stabilizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, një gjë e tillë nuk ka ndodhur si rezultat i moszbatimit të marrëveshjeve të arritura nga ana e palës Serbe. Kadrijaj vlerësoi se në fazën e re ky proces duhet të jetë transparent, të ketë konsensus politik, SHBA-të të përfshihen direkt dhe të përmbyllet me njohjen e ndërsjellë në mes Kosovës dhe Serbisë.

Deputetja Saranda Bogujevci, u shpreh se dialogu duhet të zbres nga elitat tek qytetarët, ndërsa integrimi i qytetarëve serb të Kosovës duhet të bëhet përmes barazisë shoqërore dhe zhvillimit ekonomik dhe jo përmes privilegjeve institucionale. Ajo theksoi se në të ardhmen dialogu duhet të përfshijë çështjen e të pagjeturve, krimeve të luftës dhe çështjet e brendshme të Kosovës të mos jenë pjesë e këtyre bisedimeve.

Fidan Rekaliu, deputet i Kuvendit të Kosovës, tha se dialogu duhet të fokusohet te zgjidhja e problemeve teknike të cilat do ta lehtësonin jetën e qytetarëve. Rekaliu shtoi se do të përkrahin çdo marrëveshje e cila është në dobi të qytetarëve të Kosovës, ndërsa shtoi se Qeveria duhet të luaj rolin e vet kushtetues në këtë proces.

Në bashkëbisedimin me qytetarët doli në pah pakënaqësia e tyre me rrjedhën e dialogut deri më tani të cilët u shprehën që marrëveshjet e arritura nuk kanë ndikuar në përmirësimin e jetës së tyre. Qytetarët theksuan nevojën e unifikimit të spektrit politik duke lënë anash politikat ditore dhe ndërtimin e një platformë të përbashkët të shtetit të Kosovës për këto bisedime para fillimit të fazës së re. Gjithashtu u theksua domosdoshmëria e garanca ndërkombëtare për marrëveshjet e dialogut.

Ky diskutim u organizua në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar në mes të KDI-së dhe Kuvendit që synon rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi si dhe fuqizimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit ndaj Qeverisë, me financimin e Ambasadës së Zvicrës.