sq - en

Kapja e shtetit të Kosovës përmes “ekonomisë politike të zhavorrit”

Tryeza 03.10.2018

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në kuadër të programit “Kapja e shtetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Turqi” i cili zbatohet nga rrjeti global Transparency International, ka bërë sot publikimin e raportit “Kapja e shtetit: Ekonomia Politike e Zhavorrit”.

Në hapje të konferencës, Florent Spahija nga KDI ka theksuar se projekti ka pasur si synim të vërtetoj nëse shtetet e Ballkanit Perëndimor shfaqin shenja të dukurisë së kapjes së shtetit. “Nuk ka përkufizim të qartë të kapjes së shtetit, por vetëm një seri përpjekjesh nga studiues dhe akademik. Në njërin prej tyre, kapja e shtetit, i referohet praktikave jolegjitime (jo domosdoshmërisht kundërligjore) që minojnë vlerat thelbësore demokratike në dobi të interesave të ngushtë, shpeshherë të rezervuar dhe të pushtetshëm”, ka thënë ai.

Ndërtimi i hovshëm i pasluftës në Kosovë, i pasuar me një rritje të madhe të investimeve publike në infrastrukturën rrugore gjatë dekadës së fundit, sipas tij, ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në zinxhirin e vlerave të sektorit të ndërtimit, duke rritur kërkesën për zhavorr-rërë ndërtimi. Kjo ka thënë se ka çuar në një rritje dramatike të aktivitetit të nxjerrjes së zhavorrit nga kompanitë e ndërtimit në shtretërit e lumenjve dhe në kodrat e Kosovës e që kanë shkaktuar dëme serioze mjedisore, me efekte të valëzuara në ekonomitë lokale dhe jetesën.

“Meqë aktiviteti i guroreve ka vazhduar dhe është zgjeruar, kompanitë kanë vepruar me një mosndëshkueshmëri pothuajse të plotë dhe mosrespektim të rregullave mjedisore dhe janë mundësuar ta bëjnë këtë me anë të lidhjeve të tyre politike. Këto lidhje janë manifestuar nëpërmjet ndikimit politik në emërimet kryesore në organet rregullative dhe në mungesën e fuqizimit të mekanizmave të tjerë mbikëqyrës. Edhe pse inspektorët dhe mediat kanë raportuar shkeljet, janë ngritur pak ose aspak aktakuza, dhe rrjedhimisht është zhvilluar një klimë e mosndëshkueshmërisë. Mungesa e një përgjigjeje gjyqësore mundëson që situata aktuale të klasifikohet si kapje dhe jo thjesht korrupsion.”, ka potencuar Spahija ndër të tjera.

Kurse Arben Kelmendi nga KDI, ka bërë prezantimin e të gjeturave dhe rekomandimeve të këtij raporti. Bazuar në të gjeturat ai ka bërë të ditur se ky raport rekomandon që të reduktohet ndikimi politik dhe të fuqizohen institucionet rregullative dhe mbikëqyrëse përgjegjëse për nxjerrjen e zhavorrit, të rritet transparenca në lidhje me financimin e fushatës së subjekteve politike, të mbështeten përpjekjet e gjyqësorit për përcjelljen e punës të inspektorëve.

Po ashtu raporti rekomandon që të rritet përmbajtja nga sjellja e paligjshme. “Kompanitë e përfshira në praktikat e paligjshme të gurthyesve vazhdojnë të përfshihen në aktivitete të tilla edhe pasi të gjobiten, sepse përfitimet financiare mbeten shumë më të mëdha. Nevojiten përpjekje dhe dënime shtesë për të frenuar kompanitë nga përfshirja në këto praktika”, ka shpjeguar Kelmendi.

Gjithashtu ka thënë se duhet të fuqizohet shoqëria civile dhe të përmirësohen të dhënat mjedisore si dhe të shfrytëzohen zotimet karshi integrimit në BE që t`i bëhet presion elitave politike drejt reformave.

Projekti mbështetet financiarisht nga Komisioni Evropian dhe zbatohet nga Zyrat e Transparency International në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor (Kosovë, Shqipëri, Mal i Zi, Maqedoni, Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë) dhe Turqi.