Ish punëtorët e “Ramiz Sadikut”, i drejtohen me protestë Prokurorisë së shtetit

Vizita në terren 26.06.2018

Është mbajtur protesta e radhës e grupit të ish-punëtorëve të ndërmarrjes shoqërore “Ramiz Sadiku”. Kësaj radhe ata iu drejtuan ndërtesës së Prokurorisë së Shtetit, institucion ky i cili është kompetent për zgjidhjen e këtij rasti.

480 ish-punëtorët kërkuan nga ky institucion që të nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që kanë keqpërdorur pozitën zyrtare, duke iu mohuar atyre marrjen e 20% të vlerës së aseteve të shitura të kësaj ndërmarrje, me rastin e privatizimit nga Agjensionit Kosovar të Privatizimit (ish AKM). Ky mohim ka ndodhur pas keqpërdorimit të vulave zyrtare duke i “vërtetuar punën” personave të cilët nuk kanë kontribuar dhe duke i larguar nga lista hiç më pak se 480 punëtorë të vërtetë! Për më tepër, ka pasur raste kur sindikata ka kërkuar edhe të holla për të vërtetuar punën dhe kontributin e tyre për këtë ndërmarrje!

Pas protestës dhe shprehjes së kërkesave të tyre, disa persona përfaqësues të këtij grupi, u ftuan për takim nga znj. Sevdije Morina, zëvendëskryeprokurorja e shtetit. Në këtë takim u premtua se do të shqyrtohen të gjitha kërkesat e tyre të adresuara në këtë protestë.

KDI ka më shumë se dy vite që përmes programit për ndihmë juridike për qytetarë u ofron ndihmë punëtorëve të kësaj ndërmarrje, nëpërmjet përgatitjes së shkresave, kallëzimeve penale, ankesave në gjykatë e kërkesave të ndryshme, dhe së fundmi edhe me përgatitje logjistike të protestave.