Investimet e Arnuara zbardhin pasojat e menaxhimit të dobët të kontratave publike

Tryeza 07.11.2017

Instituti Demokratik i Kosovës përmes një tryeze shpalosi raportin hulumtues “Investimet e Arnuara” që nxjerr në pah pasojat ekonomike që dalin nga mungesa e vlerësimit të performancës së operatorëve ekonomikë të kontraktuar përmes prokurimit publik. Për qëllim të këtij punimi janë analizuar tre investime kapitale përkatësisht: Parku i Biznesit në Drenas, dhe dy shkolla fillore të komunës së Ferizajt, “Faik Konica” dhe “Tefik Çanga”, si dhe janë ilustruar disa shembuj të tjerë nga qytete të ndryshme të Kosovës.

Analiza evidentoi një numër pasojash të cilat rëndojnë buxhetin, mirëqenien dhe shëndetin publik.

Diana Metushi Krasniqi nga KDI tha se menaxhimi i dobët i kontratave publike po i kushton tatimpaguesve kosovarë si në kualitetin ashtu edhe në koston e shërbimeve që ata marrin. Ajo shtoi se Autoritetet Kontraktuese jo rrallë herë janë detyruar të bëjnë kontrata të reja për të “arnuar” investimet paraprake, në vend se këto para të shërbejnë për investime të reja që do të përmirësonin jetën e qytetarëve.

“Investimet e Arnuara” konkludon se humbja dhe keqpërdorimi i parasë së taksapaguesit përmes prokurimit publik nuk është vetëm perceptim, por është fakt që buron nga llogaridhënia e mangët publike e institucioneve tona.. Duke qenë se investimet kapitale llogariten si ndër investimet me koston, jetëgjatësinë, qëndrueshmërinë, vizibilitetin dhe ndikimin më të lartë në mirëqenien tonë, dhe ku investuesi kryesor është taksapaguesi ndërsa përfituesi kryesor është qytetari, ne si taksapagues nuk mund të tolerojmë keq-menaxhim apo humbje të mëtejme të parasë në ‘arnimin’ e tyre, shtoi ajo.

Ndërsa Safet Hoxha, udhëheqës i KRPP-së, theksoi se “menaxhimi dhe planifikimi i kontratave publike vazhdon të mbetet një problem shumë i madh, dhe është më se e nevojshme që të krijohet një mekanizëm i ri për menaxhimin e kontratave, si dhe shoqëria civile dhe mediat të adresojnë sa më shumë këtë problem”.

KDI ofroi edhe një numër rekomandimesh për të përmirësuar politikat dhe praktikat në menaxhimin e kontratave publike, për t’u siguruar që barra e keq-menaxhimeve të mos bie mbi xhepin e qytetarit, duke krijuar nevojën për shpenzime shtesë që rëndojnë buxhetin, mirëqenien dhe shëndetin publik. Disa nga këto rekomandimeve theksojnë nevojën e zbatimit të ligjit për krijimin e ekipeve menaxhuese nga Institucionet Publike, penalizimit të Operatorëve Ekonomik përmes sigurimit të ekzekutimit, si dhe përmirësimin e legjislacionit aktual në menaxhim dhe monitorimin e vazhdueshëm të implementimit të kontratave publike. Gjithashtu, KDI ju bën thirrje qytetarëve që të angazhohen sa më shumë në identifikimin dhe raportimin e këtyre shkeljeve dhe keq menaxhimeve, me qëllim të kursimit të parasë publike dhe garantimin e mirëqenies qytetare!

KDI në kuadër të këtij projekti ka prodhuar edhe raport të detajuar për pasojat që bartë qytetari nga menaxhimi i dobët i kontratave dhe mungesa e ndëshkimit të operatorëve ekonomik të papërgjegjshëm.

Ky projekt është mbështetur nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS.