Hartohet plani i punës për projektin për rritje të llogaridhënies në 11 komuna

Punëtori 04.09.2018

Përmes një punëtorie dyditore stafi më i ri i KDI në terren, po harton planin e punës dhe metodologjinë për realizimin e aktiviteteve të ndryshme që do të zbatohen në kuadër të projektit më të ri “Rritja e llogaridhënies së institucioneve së institucioneve lokale” të mbështetur nga ambasada britanike në Prishtinë.

Ky projekt do të mundësoj lehtësimin e komunikimit ndërmjet qytetarëve dhe autoriteteve lokale nëpër fshatrat e 11 komunave ku do të zbatohet projekti si : Mitrovicë, Obiliq, Drenas, Klinë, Malishevë, Mamushë, Dragash, Shtërpce, Graçanicë, Viti dhe Kamenicë.

Përmes këtij projekti do të bëhet identifikimi i çështjeve që i preokupojnë qytetarët nëpër fshatrat, lagjet dhe tek grupet e paorganizuara në mënyrë që këto prioritete të përfshihen në planet e komunave për vitet e ardhshme.

Projekti do të rrisë pjesëmarrjen në vendimarrjen lokale, do të monitorojë punën e qeverisë lokale dhe do të shpërblejë praktikat më të mira. Kjo do të ndihmojë në forcimin e qeverisjes dhe sundimit të ligjit në nivelin e qeverisjes lokale. Po ashtu ky projekt synon të sjellë përfitime në aspektin e të drejtave të njeriut, duke përfshirë të drejtat e grave dhe të pakicave.