Grupi i grave kuvendare të Prizrenit dhe KDI do të hartojnë Plan të Veprimit për avokim 2018

Punëtori 17.05.2018

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka zhvilluar punëtorinë me grupin e grave kuvendare – asambleiste nga komuna e Prizrenit lidhur me identifikimin e sfidave dhe shqetësimeve me të cilat gratë nga komuniteti ynë ballafaqohen në jetën e përditshme si dhe nevoja që këto çështje nga sfera socio-ekonomike të përkthehen në politika konkrete publike dhe të jenë bazë  për hartimin e një  planit të veprimit për avokim, i cili do t’i shërbej këshilltareve të kuvendit të komunës së Prizrenit si udhërrëfyes në mbrojtjen e interesit të përgjithshëm dhe mirëqenies së komunitetit të gruas.

Gratë në biznes, nënat vetushqyese, siguria publike, qasja në kujdesin shëndetësor, arsimi, viktimat e dhunës, ishin vetëm disa nga çështjet shqetësuese të cilat u identifikuan nga pjesëmarrëset gjatë zhvillimeve të kësaj punëtorie.

KDI në bashkëpunim me grupin e grave kuvendare të komunës së Prizrenit, do të angazhohet që të harmonizojë shqetësimet dhe nevojat e komunitetit të gruas me gjetjen dhe ndërtimin e politikave konkrete publike në një plan konsistent të veprimit për avokim të këtyre çështjeve, plan ky, i cili do të jetë adresë funksionale e përfaqësimit dhe mbrojtjes së interesit të përgjithshëm të komunitetit të gruas.

Ky aktivitet është zhvilluar në kuadër të projektit  ‘’Empowered citizens for Institutions that deliver’’, i cili ekzekutohet nga KDI dhe mbështetet nga OPIC.