DnV: Zarfet e ardhura nga Serbia të verifikohen vetëm pas garantimit të shëndetit të personelit përgjegjës të KQZ-së

23.10.2019

Demokracia në Veprim (DnV) është duke përcjellë procesin e verifikimit të mbi 3,500 zarfeve të ardhura nga Serbia. Për shkak të ndjeshmërisë dhe kompleksitetit së këtij procesi, sidomos pas ankesave shëndetësore të personelit të KQZ të angazhuar në këtë operacion, DnV kërkon nga KQZ që të procedojë me verifikimin e këtyre zarfeve vetëm pasi të jetë garantuar siguria dhe shëndeti i personelit përgjegjës.

DnV vlerëson që procesi i numërimit është duke u zhvilluar brenda afateve të rregullta kohore, andaj KQZ nuk duhet të nxitojë me verifikimin e zarfeve të ardhura nga Serbia para se prokuroria të publikojë rezultatet nga hetimi i këtyre zarfeve dhe të hapë rrugë për verifikimin dhe numërimin e tyre.

Tanimë në përmbyllje të procesit të numërimit, DnV fton institucionet e drejtësisë që të hetojnë rastet të cilat konsiderohen si tentativa të qëllimshme për manipulim të rezultatit zgjedhor në mënyrë që të mos njolloset vlerësimi pozitiv mbi mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe të mos luhatet besimi i qytetarëve në procesin zgjedhor.