DnV do të vëzhgojë procesin zgjedhor në katër komunat veriore të Kosovës me mbi 100 vëzhgues 

Konferenca për media 12.05.2019

Koalicioni i OJQ-ve vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim”, përmes partnerit të saj në Mitrovicën e Veriut, Advocacy Center for Democratic Culture (ACDC), do të jetë e angazhuar në misionin vëzhgues për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të komunave Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, që do të mbahen më 19 maj. Me këtë rast, Ismet Kryeziu nga Demokracia në Veprim ka riafirmuar përkushtimin e DnV-së për të siguruar integritetin e zgjedhjeve, për të promovuar fushatë të qetë zgjedhore dhe për t’a informuar publikun në mënyrë të drejtë për ecurinë e procesit. “Misioni ynë do të kontribuojë në rritjen e transparencës, besueshmërisë dhe gjithëpërfshirjes në procesin zgjedhor, përmes vlerësimit tonë të paanshëm dhe objektiv”, shtoi ai.

Lidhur me planin operacional të vëzhgimit, Srdjan Milojevi? nga ACDC, bëri të ditur se gjithsej  116 vëzhgues do të përfshihen në vëzhgimin e periudhës para, gjatë dhe pas ditës së zgjedhjeve. Nëpërmjet vëzhguesve afatgjatë, DnV do të bëjë vëzhgimin e të gjitha aktiviteteve të fushatës parazgjedhore, e cila do të fillojë nesër dhe do të zgjasë deri më 17 maj. Në ditën e zgjedhjeve, DnV do të ketë vëzhgues në secilin prej 87 vendvotimeve që pritet të hapen në territorin e katër komunave të veriut të Kosovës. Për më shumë, DnV do të angazhojë edhe ekipe mobile, të cilat do të përcjellin në përgjithësi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Pas përfundimit të procesit zgjedhor, DnV do të përgatisë edhe një raport të detajuar vlerësues të zgjedhjeve, bazuar në të dhënat e vëzhguesve tanë, në linjë me kornizën ligjore të Kosovës dhe parimet ndërkombëtare të zgjedhjeve.

Në prag të fillimit të fushatës zgjedhore, DnV fton të gjitha subjektet politike të përfshira në proces që të zhvillojnë një garë fer dhe të lirë zgjedhore. Ju bëjmë po ashtu thirrje qytetarëve me të drejtë vote që të përfshihen në aktivitetet e fushatës parazgjedhore, në mënyrë që të jenë sa më të informuar për premtimet dhe programet e kandidatëve për kryetarë të komunave.

Gjatë fushatës parazgjedhore, DnV në vazhdimësi do t’a informojë publikun lidhur me mbarëvajtjen e fushatës parazgjedhore, përmes raporteve ditore dhe konferencave për shtyp që do të mbahen në Mitrovicën e Veriut, përkatësisht në zyrat e organizatës partnere ACDC.