Deputetët zotohen se do t’i shtyjnë përpara rekomandimet e banorëve të Kaçanikut

Takime 24.01.2020

Në komunën e Kaçanikut sot u zhvillua diskutimi i radhës mes qytetarëve dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për ngritje të llogaridhënies dhe transparencës së Kuvendit.

Në takimin e bashkëorganizuar nga KDI dhe FOJK prezentë ishin deputetët:Valon Ramadani (LVV), Dimal Basha (LVV), Saranda Musliu (LDK) si dhe kryetari i Komunës së Kaçanikut z. Besim Ilazi.

Gjatë këtij diskutimi publik, qytetarët parashtruan një sërë kërkesash e rekomandimesh për deputetët e pranishëm, duke përfshi çështjet që lidhen me migrimin e të rinjëve dhe mjekëve specialistë nga vendi, inicimi i plotësim – ndryshimit të ligjeve që rregullojnë ujërat, mbrojtjen e mjedisit dhe atë për pyjet, ndryshimi i politikave rinore në funksion të fuqizimit të të rinjëve, rritja e buxhetit për shërbimet sociale në nivel komunal, ngritja e cilësisë në arsim dhe krijimi i mekanizmave për luftimin e përdorimit të narkotikëve nëpër shkolla etj.

Këto çështje, deputetët prezentë u zotuan se do t’i ngrisin në Kuvend.