Favorizmi, nepotizmi dhe ndërhyrjet politike format më të zakonshme të sjelljes korruptive brenda sistemit të drejtësisë

Tryeza 15.11.2017

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në bashkëpunim me programin “Kërko Drejtësi”, i cili zbatohet nga National Center for State Courts (NCSC), mbajti sot një tryezë diskutimi me rastin e publikimit të raportit final të “Iniciativës për Integritet në Sistemin e Drejtësisë”.

Me këtë rast Osman Havolli, kryetar i Odës së Avokatëve të Kosovës, ka thënë se ky raport reflekton të gjeturat nga pyetësori i realizuar me akterë të sistemit të drejtësisë lidhur me mekanizmat e sjelljeve korruptive në institucionet e drejtësisë në Kosovë në saje të një bashkëpunimi mes Odës së Akovatëve, KDI-së dhe NCSC-së.

“Ka ndodhë për herë të parë që të aplikohet një sistem i tillë i vetëdeklarimit të akterëve se si e perceptojnë punën në polici, prokurori, gjykatë dhe avokati. Çështja e të gjeturave dhe fokus kryesor i trajtimit është niveli i perceptimit të sjelljeve korruptive, format e sjelljeve korruptive, akterët e sjelljeve korruptive, ndërmjetësit, rezultatet e synuara, grupet e prira për korrupsion si dhe nxitjet për korrupsion”, ka informuar ai.

Kurse John Furnari nga NCSC ka thënë se përmes këtij hulumtimi është bërë një punë e mirë që mund të shërbejë si bazë për një diskutim autentik se si të shkohet përpara në sektorin e drejtësisë në Kosovë.
Ai ka shtuar se ky punim tregon se nepotizmi ekziston dhe jo vetëm në kokat e gjyqtarëve, prokurorëve, policëve apo avokatëve por bëhet fjalë edhe për një presion që këta profesionistë e kanë nga familjet e tyre. Megjithatë ka shtuar se quhet patriotizëm të jesh gjyqtar dhe ta bësh punën tënde duke e vendosur shtetin para familjes dhe para vetes.

Arben Kelmendi nga KDI, ka prezantuar të gjeturat dhe rekomandimet e dala nga raporti “Iniciativa për Integritet në Sistemin e Drejtësisë”. Kelmendi ka thënë se perceptimi i përgjithshëm i nivelit të korrupsionit në sistemin e drejtësisë është më i ulët (58.5% e respondentëve) në krahasim me nivelin e përgjithshëm të korrupsionit në Kosovë (79.4% e respondentëve). Favorizimi/ nepotizmi (52.9%) dhe ndërhyrja politike (50.4%) janë dy format më të zakonshme të sjelljes së korruptuar në sistemin e drejtësisë. Kurse avokatët perceptohen si ndërmjetësit më të shpeshtë (14.9%), pasuar nga anëtarët e familjes (9.0%), miqtë (7.5%) dhe zyrtarët e partive politike (7.2%).

“Prokurorët shihen si më të ekspozuar ndaj nxitjeve për sjellje korruptive që vijnë nga kontaktet e drejtpërdrejta me palët e interesuara jashtë sistemit të drejtësisë. Si dy qëllimet më të synuara përmes sjelljes korruptive perceptohen: përzgjedhja e një gjykatësi dhe prokurori të preferuar për të vendosur rreth një rasti/ veprimi ligjor (54.9%) dhe marrja e aktgjykimit të preferuar (53.3%). Kurse dy grupet më të zakonshme të qytetarëve të prirur për sjellje korruptive janë qytetarët e pasur, politikanët aktualë dhe zyrtarët qeveritarë”, ka thënë ai.

Sa i përket formave më të shpeshta të nxitjes për të marrë pjesë në kryerjen e akteve të korrupsionit në Kosovë, Kelmendi përmendi përfitimet materiale dhe mbajtjen e raporteve të mira me aktorët politikë që do të çonin në shpërblime përmes emërimeve, si dhe mungesën e mbikëqyrjes së pavarur.

Në lidhje me fazat e procesit gjyqësor, respondentët perceptojnë çdo fazë të procesit si të cenueshëm ndaj korrupsionit. Kurse tre faktorët më të rëndësishëm prapa rreziqeve të korrupsionit në sistemin e drejtësisë në Kosovë janë qëllimi i politikanit për të mbuluar sjelljen e tij korruptive (15.4%), pasuar nga interesa të përbashkëta ndërmjet anëtarëve të krimit të organizuar dhe grupeve të biznesit me politikanë të caktuar (12.3%).

Kelmendi ka paraqitur edhe rekomandimet për KGJK-në, kryetarët e gjykatave, gjykatësit dhe personelin e gjykatave dhe Odën e Avokatëve bazuar në këto gjetje.

Të gjeturat nga raporti dhe rekomandimet e propozuara do të shërbejnë si udhëzues për institucionet e sistemit të drejtësisë në Kosovë për të punuar më shumë drejt ngritjes së nivelit të integritetit të tyre professional.

Raporti është përkrahur financiarisht nga Departamenti Amerikan i Shtetit /INL. Programi “Kërko Drejtësi” ka për qëllim fuqizimin e kërkesave të qytetarëve për drejtësi të bazuar në fakte në Kosovë.