sq - en

KDI: Qeveria e Kosovës duhet të bashkërendojë qëndrimet me opozitën për rishikimin e buxhetit

Reagime 10.07.2020
Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga Kuvendi rishikimin e buxhetit me procedura të përshpejtuara, për të sanuar pasojat ekonomike dhe shëndetësore që ka shkaktuar pandemia. Ky projektligj do të jetë në shqyrtim të parë në vazhdimin e seancës së sotme. Sidoqoftë, për trajtimin e projektligjit me procedura të përshpejtuara kërkohet shmangie nga Rregullorja me votat e 2/3 të deputetëve të pranishëm, që nënkupton se nevojitet pajtueshmëri më e gjerë mes grupeve parlamentare në pozitë dhe atyre në opozitë.
Duke pasur parasysh situatën e ndjeshme me pandeminë është e domosdoshme që buxheti i rishikuar të jetë reflektim i qëndrimeve të të gjitha partive politike. Andaj, KDI kërkon nga koalicioni qeverisës të intensifikojë përpjekjet për gjetjen e një gjuhe të përbashkët me opozitën, duke marrë parasysh propozimet dhe kërkesat e tyre, në funksion të arritjes së pajtueshmërisë për kalimin e projektligjit për rishikimin e buxhetit.
KDI konsideron se një qasje bashkëpunuese mes qeverisë dhe opozitës e promovuar dhe e kultivuar nga Qeveria, duhet të mbizotërojë në angazhimin e përbashkët për përballje me pandeminë dhe pasojat e saj.